Kroacia pranohet në zonën Schengen

Ministrat e Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian miratuan më 8 dhjetor hyrjen e Kroacisë në zonën e Schengenit.

Sipas këtij vendimi, nga 1 janari i vitit 2023 nuk do të ketë më kontrolle të udhëtarëve në kufijtë Kroaci-Slloveni dhe Kroaci-Hungari. Ndërkaq, nga pranvera do të hiqen edhe kontrollet për fluturimet nga aeroportet e Kroacisë drejt vendeve të Schengenit, shkruan REL.

Brenda zonës Schengen mundësohet lëvizja e lirë e mbi 400 milionë banorëve të BE-së, së bashku me shtetasit e vendeve që s’janë pjesë e bllokut, por që jetojnë apo vizitojnë shtetet e BE-së. Në zonën e Schengenit janë shumica e shteteve të BE-së, me përjashtim të Qipros, rlandës, Bullgarisë dhe Rumanisë. Në këtë zonë bëjnë pjesë edhe shtete joanëtare të bllokut, sikurse Zvicra Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda.

Pajtimi që Kroacia të futej në Schengen ishte arritur muaj më parë, pasi asnjë shtet anëtar nuk ishte shprehur kundër këtij vendimi. Por, miratimi i vendimit ishte një procedurë më e komplikuar për shkak se u insistua që të njëjtën kohë të miratohej edhe vendimi për Bullgarinë dhe Rumaninë. Por, disa shtete, përfshirë Austrinë dhe Holandën, ishin kundër hyrjes së Bullgarisë në zonën Schengen.

Me hyrjen e Kroacisë në zonën e lëvizjes së lirë të Schengenit, kufijtë e jashtëm të kësaj zone zhvendosen në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, e ata janë kufijtë e Kroacisë me Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Kroacia ka kufirin më të gjatë tokësorë të jashtëm nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.