Kryeprokurori i Prizrenit tregon kur do të publikohet raporti për Astrit Deharin

Brenda kësaj jave pritet të publikohet raporti i ekspertizës për aktivistin e ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

“Brenda kësaj jave përkthehet dhe publikohet. Besoj deri të premten kryhet”, ka thënë shkurt Shala.

Prindërit e Astrit Deharit kishin shkuar në Prizren për ta kërkuar rapotin, por Prokuroria Themelore e Prizrenit nuk ua kishte dhënë.

Pas takimit gati njëorësh me kryeprokrorin Admir Shala, babai i Astrit Deharit, Avniu kishte thënë se kryeprokurori nuk ua dha raportin në gjuhën origjinale, me arsyetimin se ai është duke u përkthyer në shqip.

Dehari ka thënë se nuk kanë besim në institucionet e Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk e kanë njoftuar zyrtarisht as për djalin e tij, e as për arritjen e raportit të ekspertizës nga Zvicra.

Kryeprokurori Admir Shala ka thënë se nuk mund t’ia japin familjes raportin në gjuhën origjinale, pa e përkthyer atë në gjuhën shqipe.

Kujtojmë se Porkurori Shala ditën kur njoftoi se ka mbërritur në Kosovë raporti kishte deklaruar në një konferencë për media se Prokuroria nuk e di përmbajtjen e raportit, por pas përkthimit të tij opinioni publik do të njoftohet me përmbajtjen, çka kishte kërkuar përmbajtje në deklarime dhe prononcime.