Kryeqyteti historik për 28 Nëntor zbulon shtatoren e Skënderbeut

Kryeqyteti historik i shqiptarëve, Prizreni, më 28 Nëntor do të zbulojë shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Skënderbeu i bronztë do të qëndrojë në rrugën që mban emrin e heroit tjetër kombëtar “Hasan Prishtina”, apo në rrethin afër stacionit të autobusëve, njofton Klan Kosova.

Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, që tha se ky nuk do të jetë aktiviteti i vetëm i komunës së Prizrenit.

Ndërkaq, në një postim në Facebook, Haskuka tha se aktivitetet do të bëhen në përputhje të plotë me masat anti-pandemi.

“Me rastin e shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Komuna e Prizrenit, me qëllim të kremtimit të kësaj dite të rëndësishme, ka organizuar një serë aktivitetesh të cilët do të mbahen duke iu përmbajtur plotësisht masave të pandemisë”.

“Po më vjen keq që këtë datë të rëndësishme për të gjithë ne, nuk po mundemi ta shënojmë ashtu siç e kemi shënuar në vitet e kaluara, por shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha”.