Kryeshefi i KEK-ut që u shoqërua në polici, mbante pozitë në Vetëvendosje si ekspert i energjetikës

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është shoqëruar në polici të mërkurën nga Policia e Kosovës, pas bastisjes që zyrtarët policorë kryen në zyrat qendrore të KEK-ut.

Sipas raportimeve dyshimet për ndalimin e tij dhe të dy personave tjera kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së Bllokut A5.

Krasniqi ka qenë ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës në tetor të vitit 2021.

Ai në krye të ndërmarrjes më të madhe publike u zgjedh nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin kanë konkurruar 38 kandidatë.

“Bordi i përkohshëm si përfaqësues i Qeverisë, ka udhëhequr një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ne pajtim me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike”.

Sipas këtij njoftimi “ky proces është mbështetur nga Partneri i jashtëm zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese”, thuhet në njoftimin e KEK-ut”.

Ndërkaq më 12 shtator, përmes një videomesazhi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u kishin bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë në konkurset për borde publike.

Kurti tha se do të ndjekin po të njëjtin standard për të gjithë, në çdo konkurs që është i hapur apo do të hapet në të ardhmen.

“Ndërmarrjet publike duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset, si dhe të kontribuojnë në buxhetin e Republikës. Prandaj duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal, e të cilët kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes”, pati thënë Kurti.

“Jo zhvillimin e interesave të ngushta që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin. Që kjo të arrihet, ne kemi nevojë për vëmendjen dhe interesimin e secilit profesionist të fushës të cilët prej kohësh kanë pasur dëshirë të kyçen”.

Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se gjatë javëve dhe muajve në vijim, Qeveria do të udhëheq procese të rekrutimit për borde të rregullta të drejta për shumicën e ndërmarrjeve publike qendrore.

“Ndërmarrjeve tona publike u duhen gra e burra profesionistë, me integritet e vullnet për t’i shtyrë ato drejt arritjes së potencialit të tyre të plotë”, kishte thënë Rizvanolli.

Ndryshe emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Sipas ligjit, procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Lidhur më bastisjet në KEK, ka folur edhe vetë korporata.

Korporata Energjetike e Kosovës tha se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për kontrollin e kryer nga Policia e Kosovës në zyrat e këtij institucioni të mërkurën.

Në një komunikatë dërguar mediave, KEK-u tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit si dhe do të ofrojë qasje të plotë “në cilëndo kërkesë nga këto organe”.

“Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.

Demokracia