Kryesindikalisti i Administratës: Ligji për zyrtarët e politizon shërbimin civil, do ta kundërshtojmë fuqishëm

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjtën Projektligjin për zyrtarët publikë.

62 deputetë të enjten votuan pro miratimit të këtij Projektligji.

Vota kundër nuk pati ndërsa tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij Projektligji.

Madje nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar që një Ligj i tillë do të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese pasi sipas tyre misioni i ri i Qeverisë është “largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre”.

Të njëjtën rrugë, po thuhet se do ta ndjekin edhe nga Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës.

Kështu tha për Front Online, Kryetari i kësaj sindikate Ali Gashi.

“Ne si sindikatë e kemi kundërshtuar fuqishëm dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë fuqishëm dhe do t’i drejtohemi të gjitha instancave relevante që ta dëshmojmë që ky ligj i zyrtarëve publik është ligj i keq, ligj që prish dhe e politizon skajshmërish shërbimin civil në Republikën e Kosovës. Ne do të presim edhe ecurinë pastaj do të veprojmë sipas procedurave ligjore duke mos përjashtuar që ky ligj të sigurohet që do të bëhet përpjekje që të shkojë në Gjykatën Kushtetuese pasi që ne konsiderojmë që ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai për Front Online.

Gashi thotë se është ligji më i keqi që është bërë deri më tani në Kosovë.

“Ligji për zyrtarët publik është ligji më i keq që është bërë deri më tani në Republikën e Kosovës. Me këtë ligj prishet struktura organizative e shërbimit civil në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Gashi tha po iu mundësohet që secili subjekt që vjen në pushtet të prekin në shërbimin civil.

“Ndërpritet puna institucionale dhe me një fjalë kapet në mënyrë më klasike e shërbimit civil, politizohet skajshmërish dhe rritet mundësia e të gjitha partive politike të cilat vijnë në pushtet që të prekin dhe të shtijnë duart në shërbimin civil duke vendosur në pozitat e shërbimit civil tek drejtuesi i mesëm dhe i ulët, njerëz politik që janë anëtarë të subjekteve që janë në pushtet”, deklaroi ai për Front Online.

Vlera e koeficientit e Ligjit për Pagat nuk është bërë ende publike.

Ani pse po raportohet se do të ketë zvogëlim.

Edhe për këtë ka folur Gashi, i cili tha se si sindikatë presin që të kap vlerën 130 euro, e jo ashtu siç iu ka thënë ministrja Nagavci.

“Deklarimet që i ka dhënë ministrja Nagavci atëherë vlera e koeficientit është 120 pasi që ajo vet personalisht e ka deklaruar në vazhdimësi që ky koeficient do të jetë në vlerë prej 120 euro. Ne si sindikatë kërkesat tona të drejtuara edhe komisionit parlamentar por edhe vet deputetëve i kemi propozuar që vlera e koeficientit të jetë 130 euro”, tha Gashi për Front Online.

Për miratimin e këtij ligji kanë reaguar edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përmes një njoftimit kanë deklaruar se BE-ja është e shqetësuar për disa dispozita të Ligjit për Zyrtarët Publikë që është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.

BE-ja vlerëson se komentet e SIGMA-s për këtë ligj dhe për Ligjin për Paga nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të tyre. Sipas BE-së, përmes Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, shërbimi civil bëhet potencialisht i pambrojtur ndaj politizimit.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.