Kryesindikalisti i Policisë: Qeveria t`i ekzekutojë shtesat për rrezikshmëri, ndryshe protestojmë

Pjesëtarët e policisë i marrin pagat tash e tre muaj, por pa u përfshir në to edhe shtesat për rrezikshmërinë në punë.

Me këtë telashe ata po përballën që prej muajit shkurt, kur edhe hyri në fuqi Ligji i ri i Pagave.

Kryesindikalisti policor, Imer Zeqiri po kërkon që Qeveria t`ua qesë paratë dhe vlera e shtesave të jetë si e mëhershmja.

“Kërkesat tona janë që të mos ndërprehet rrezikshmëria. Na kanë premtuar që disa muaj dhe nuk kemi shtesa. Janë shtatë nivele të rrezikshmërisë, nga 105 deri në 215 euro, varësisht prej sektorëve të policëve. Nuk duam ndasi, për disa policë të ketë shtesa, për disa tjerë jo, sepse është diskriminuese dhe po ashtu duam që shtesat të jenë sa kanë qenë më herët e jo me zbritje, siç po thuhet”, u shpreh Zeqiri për Front Online.

Ndryshe Zeqiri paralajmëron veprime sindikale.

“Sado që të jetë më pak shtesa, nuk e pranojmë, e kundërshtojmë me të gjitha mjetet sindikale. Nuk kemi të drejtë të bëjmë grevë, por do të mbajmë protesta. Do të bëjmë edhe protestë, nësë kërkojnë policët e Kosovës”, tregoi Zeqiri.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave muaj më parë pati thënë se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

Zeqiri thotë të mos kenë vendos ultimatum për autoritetet lidhur me ekzekutimin e shtesave. Ka diçka që i pengon.

“S`kemi caktuar datë për ta pritur qeverinë për shkak të situatës në veri dhe është çështje kombëtare. Pjesëtarët atje e kanë vullentin dhe motivimin e lartë ta mbrojnë këtë vend”, pohoi Zeqiri.

Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023. Ndërsa me 7 prill i njëjti ligj është dërguar në Kushtetuese nga avokati i Popullit me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën.