Kryetari i Prishtinës akuzon Ministrinë e Financave për rritjen e faturave të tatimit në pronë

57

Pas shqetësimeve të qytetarëve për rritjen e faturave të tatimit në pronë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama, duke thënë se kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Rama tha se rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.

Ai nëpërmjet një postimit në Facebook ka shkruar se që prej dje ka marrë shqetësime të arsyeshme nga qytetarët në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë. Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces.

Më tej kryetari i kryqendrës tha se bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të ministrisë.

Rama ka shkruar se kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Prandaj, ju siguroj se kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, ka shkruar kryetari Rama.