Kryeziu: Ankesat e VV-së për votat e diasporës janë ose veprim populist ose zvarritje e qëllimshme

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës Ismet Kryeziu, ka shprehur bindjen se ankimimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it për mosnumërimin e votave të diasporës të ardhura me postë pas afatit ligjor, mund të shihet si veprim populist ose zvarritje e qëllimshme për certifikimin e rezultateve.

Në një prononcim për Periskopin, Kryeziu thotë se në këtë përfundim ka ardhur pasiqë në Lëvizjen Vetëvendosje ka mjaftueshëm individë që kanë aftësi për të lexuar e interpretuar ligje.

“Nuk e di a po i shkon në favor VV-së, dhe nuk mund ta paragjykoj një çështje të tillë. Por, besoi se LVV ka mjaftueshëm kapacitetet humane për ti lexuar dhe interpretuar, vendimin, ligjet dh rregullat që përcaktojnë mënyrën e votimit. Duke parë këto argumente, besoi se e drejta e saj për të ankuar ndaj vendimit të PZAP, mundë të shihet si veprim populist karshi votuesve nga diaspora, apo si zvarritje e qëllimshme për certifikimin e rezultateve. Sepse afatet kohore që i ka shfrytëzuar VV-ja dhe ato tani të cilat do i shfrytëzoj gjykata supreme, por dhe udhëzimet për veprim që do dalin nga ky vendim, gjithsesi e kanë shtyrë këtë proces për disa ditë”, thotë Kryeziu.

Kryeziu që është edhe njohës i çështjeve politike në vend, insiston se votat e diasporës të arritura jashtë afateve kohore janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet dhe se vendimi i PZAP-it për mosnumërimin e tyre nuk duhet të interpretohet si pro ose kundër dikujt.

“Votat e diasporës të arritura jashtë afateve kohore, janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet përmes të cilave përcaktohet e drejta qytetare për votuar. Prandaj, vlerësoj se vendimi i PZAP, bazuar në këto rregulla dhe ligje ruan integritetin e procesit zgjedhor. Respektimi i ligjeve dhe procedurave zgjedhore, nuk duhet të interpretohet si vullnet i dikujt kundër ose pro votimit nga jashtë, por si vendimmarrje dhe përgjegjësi për zbatim të ligjit”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai thotë se pa certifikimin e rezultateve nuk mund të parasheh se çfarë do të ndodhë me koalicionin e udhëhequr nga Nisma Socialdemokrate.

“LVV dhe LDK jo vetëm që në parim janë dakorduar për një koalicion bashkë qeverisës, por ato tani kanë grupet punuese të përbashkëta për të harmonizuar qëndrimet dhe vendimet që do pasojnë nga qeveria e re. Para certifikimit të rezultateve, nuk mundë të dimë se çfarë do ndodhë me koalicionin e udhëhequr nga NISMA, edhe se cilat do jenë veprimet dhe roli i këtyre subjekteve nëse do arrijnë të jenë subjekte parlamentare”, ka përfunduar Kryeziu