Kuçi: Arrestimi i Molliqajt është tentim për frikësimin e kundërshtarëve politik

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate Natyra Kuçi, ka thënë se arrestimi i kreut të PSD-së Dardan Molliqaj, është një shfaqje dhe tentim për frikësimin e opozitës dhe kundërshtarëve politik.

Kuçi në konferencën e mbajtur për media tha se kjo nuk do të arrihet.

“Qëllimi i kësaj shfaqje është frikësimi, intimidimi i opozitës, kundërshtarit politik. Nga këtu, nga zyrat e PSD-së, themi se nuk frikësohemi, nuk sprapsemi e nuk harrojmë kauzën e gjithë rrethanat pse nisi kjo shfaqje. Bëmë kundërshtim të madh, mblodhëm 3000 vetë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës. Kjo e tmerroi Albin Kurtin e pushtetin që po tenton ta kapë shoqërinë e shtetin në duart e veta. Ftojmë mediat, e gjithë arkivistët e kundërshtarët të këtij pushteti autoritar, që të na bashkohen në aktivitete të mëtejme”.