Kujdes nga ajri mjaft i ndotur sidomos natën dhe në mëngjes

Ndotja e ajrit përpos faktorit njeri për arsye industriale dhe mungesës së gjelbërimit të mjaftueshëm ka lidhje të ngushtë edhe me fenomenet meteorologjike. E kemi përmendur edhe në parashikimet tona të mëhershme se për shkak të ndikimit të fuqishëm të masave ajrore stabile anticiklonike do të vijë deri te përkeqësimi i cilësisë së ajrit nëpër qytetet e industrializuara. Kjo ndodh për shkak (përpos shkaqeve tjera) të dinamikës së dobët të atmosferës pra, mungesës së erërave për shkak të rrymimeve shumë të dobëta ajrore.

Pra, për sa kohë që kemi një anticklon të fuqishëm i cili garanton mot krejtësisht stabil predispozitat për ndotjën ajrore do të jenë më të mëdha dhe për këtë arsye Prishtina sonte ka ajrin më të ndotur gati në tërë globin së bashku me Sofien e Bullgarisë.

Kjo gjendje do të vazhdojë edhe ditëve/netëve të ardhshme. Vetëm të mërkurën do të ketë përmirësim afatshkurtër të cilësisë së ajrit për shkak të një fronti të dobët të ftohtë ajror.

Përmirësim më i madh i cilësisë së ajrit në Prishtinë pritet të kemi gjatë fundjavës kur do të kemi fuqizimin e erërave veriore dhe verilindore të cilat do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit./Meteoballkan