Kuleta: Kryeministri Kurti duhet të merret me thelbin e problemit, jo me efektet anësore të moszgjidhjes së tij

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta ka deklaruar se Kryeministri Kurti duhet të merret me thelbin e problemit, jo me efektet anësore të moszgjidhjes së tij, shkruan Fokusi.info.

Statusi i plotë:

KRYEMINISTRI KURTI DUHET TË MERRET ME THELBIN E PROBLEMIT, JO ME EFEKTET ANËSORE TË MOSZGJIDHJES SË TIJ!

Zhvillimet e sotme nuk ishin të nevojshme për të na bërë me dije se kush është Serbia dhe cila është politika e Vuçiqit ndaj Kosovës. Atë e dimë të gjithë. Këto zhvillime mund të na ndihmojnë të kuptojmë se cila është politika e qeverisë sonë ndaj problemeve tona të pazgjidhura.
Kosova gjendet në një proces shumë të rëndësishëm politik, atë të bisedimeve me Serbinë. Ky proces po udhëhiqet nga faktorët më të rëndësishëm në skenën politike ndërkombëtare. Prandaj, ky është një moment historik për t’i zgjidhur një herë e mirë problemet e mbetura dhe për të hapur rrugë për zhvillimin e vendit. Fatkeqësisht, përgjegjësia dhe sjellja e udhëheqësve tanë është larg asaj që kërkon situata. Në vend se të përqendrohen me tërë kapacitetin në temën e madhe, politike, me zgjidhjen e së cilës vetvetiu do të zgjidheshin edhe ato teknike, ata vazhdojnë të merren në mënyrë të veçantë me çështje teknike. Kjo politikë e gabuar vetëm se ia forcon pozicionin negociator Serbisë.

Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes dhe të mos bëjë ndonjë veprim i cili pa kurrfarë nevoje do të rrezikonte jetën e njerëzve tanë. Ndërsa kryeministri Kurti duhet të marrë guximin e të merret me thelbin e problemit, e jo të fshihet pas efekteve anësore të tij. Ai duhet të shkojë në bisedime me një qëllim të vetëm e një parim të qartë. Qëllimi është zgjidhja përfundimtare, parimi është reciprociteti! Çdo gjë tjetër është lojë e rrezikshme me qytetarët dhe të ardhmen e vendit tonë!