Kur pritet të kthehet në funksion blloku B2? Përgjigjet drejtori i KEK-ut

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka treguar se kur pritet të rikthehet në prodhim blloku B2, që ka prishje tash e disa ditë.

Krasniqi, në “Info Magazine”, deklaroi se presin që më 20 janar ky bllok të rikthehet në punë, njofton Klankosova.tv.

“Ne kemi dhënë një datë, e cila presim që duhet të jetë datë e rikthimit të bllokut B2 në punë, ajo është 20 janari. Kjo nuk do të thotë se ne do të ngelemi në datën 20, pasi në vazhdimësi jemi duke u munduar që sa më herët ta kthejmë në funksion këtë njësi”.

“Mirëpo, duhet të dimë që nuk varet gjithmonë nga ne pasi është periudha e festave dhe ka ekspertë që duhet të vijnë nga ‘General Electric’, të cilët në këtë kohë festash nuk është lehtë t’i sjellësh sepse edhe ata si ekspertë janë në numër të vogël”, tha Krasniqi.

Krasniqi mes tjerash tha se nga kjo rënie e bllokut ka humbje të drejtpërdrejta të KEK-ut pasi duhet të importohet energji me çmime të larta e që e gjithë kjo është e kushtueshme për vendin.