Kurrë më 50%: Shefat e deputetëve të opozitës flasin për zgjedhjet

Shefat e Grupeve Parlamentare të partive opozitare (PDK, LDK dhe AAK), thonë se viti 2024 është vit i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Por, përveç kësaj, ata besojnë se partia në pushtet, Vetëvendosje, nuk do të mund t’i fitojë më 50 për qind të votave dhe qeveria do të formohet nga opozita. Ndërkaq, pushteti vazhdon mburrjet edhe gjatë këtij fillimviti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij është e përgatitur për zgjedhje kurdo që ato mbahen.

Ai beson që qeverinë e ardhshme do ta formojë opozita dhe nuk do të mund ta formojë Vetëvendosje.

“Jemi jashtëzakonisht të gatshëm dhe jemi të bindur se në këto zgjedhje, kurdo që do të mbahen, Lëvizja Vetëvendosje më nuk do të arrijë të krijojë qeverinë dhe qeverinë do ta krijojë opozita.”, ka thënë ai para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosoëvs (LDK), Arben Gashi, ka thënë se ky është viti i fundit i Qeverisë Kurti.

Gashi ka theksuar se zgjedhjet duhet të shpallen në fund të shtatorit dhe të mbahen në muajin janar ose shkurt të vitit 2025.

“Është viti i fundit, maksimumi i mundshëm deri kur do të jetë në pushtet Kurti, tash një vit i plotë, por zgjedhjet do të duhet të shpallen deri në fund të shtatorit dhe të mbahen diku në fillim të janarit ose të shkurtit të vitit 2025. Ka filluar numërimi prapa, pra po i afrohemi fundit të kësaj qeverie.”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlametar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se viti 2024 është vit zgjedhor dhe AAK-ja është e gatshme për zgjedhje.

“Viti 2024 është vit zgjedhor dhe Aleanca në këtë vit zgjedhor hyn më e përgatitur se kurrë, aleanca do të jetë boshti politik i të gjithë qytetarëve, subjekteve politike të tjera, të koalicioneve të ndryshme në mënyrë që me ia dhënë vendimin e duhur kurdo që të mbahen zgjedhjet.”, ka thënë ai.

Tahiri mendon që në zgjedhjet e ardhshme, Vetëvendosje nuk mund t’i fitojë 50 për qind të votave.

“Unë personalisht pres që zgjedhjet të jenë të rregullta, për shkak se nuk ka shans Albin Kurti me qeverinë e tij me lënë gjithë këtë privilegj, për shkak se mirë e dinë që kurrë më nuk do t’i marrë 50%, andaj ky do të mundohet ta shtyej deri në fund.”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në anën tjetër, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes (VV), Mimoza Kusari-Lila, ka përmendur sukseset e qeverisë, duke e cilësuar si sukeses të tyre edhe liberalizimin e vizave e të tjera.

“Kemi një listë të arritjeve dhe sukseseve që kanë filluar të zbatohen në raport me pozicionin e Republikës sonë në subjektivitetin ndërkombëtar prej procesit të liberalizimit të vizave, te njohja e pasaportës së Kosovës nga të gjitha vendet jonjohëse, përfshirë edhe Spanjën.”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se partitë opozitare kanë kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme në vend.