Kurteshi deklarohet i pafajshëm rreth akuzës për sulm ndaj të dëmtuarit në KQZ për mosbartje të maskës

Anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi është deklaruar i pafajshëm se sulmoi të dëmtuarin Adnon Berisha, për mosbartje të maskës.

Kurteshi akuzohet se në gusht të vitit 2021, në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit Berisha, i cili nuk kishte vendosur maskë, ashtu që të njëjtin e kapë për krahu duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë”, e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Kurteshi e ka dhënë në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Eset Rama.

“Jo, se s’ka vepër”, deklaroi Kurteshi.

Ndërkaq, i dëmtuari Adnon Berisha tha se qëndron prapa ndjekjes penale, si dhe shtoi se do të parashtroj kërkesë pasurore juridike.

Gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj ka njoftuar se brenda 30 ditëve i akuzuari mund të paraqesë kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, aktakuza e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person, raporton “Betimi për Drejtësi”.