Kurti bashkëbisedon me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, këto janë çështjet që u diskutuan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një bisedë virtuale me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në takimin 2 orësh të mbajtur online, u diskutuan kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Kosovës.

Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mos marrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.

Siç u tha në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit, Kurti propozoi që takimet e tilla të vazhdojnë e të jenë të rregullta.

“Të gjitha ekipet u shprehën tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara”, thuhet në kumtesën e ZKM-së, dërguar mediave.