Kurti: BE e mbështet “Ballkanin e Hapur”, sepse nuk do ta kundërshtojë si ide dhe jo pse e përkrah si projekt

Kryeministri Albin Kurti thotë se BE-ja po e mbështet “Ballkanin e Hapur” më shumë për shkak se nuk do që ta refuzojë këtë ide sesa që e përkrahë si projekt.

“Unë jam i bindur që mbështetja që vjen nga perëndim për Ballkanin e Hapur, është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti si i tillë. Pra, nuk duan ta kundërshtojnë idenë, por nuk është se aktivisht po marrin pjesë pastaj në projektin e tillë. Dhe të mos harrojmë që tek këto tri shtete që po marrin pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur, vetëm njëri shtet e ka pajtimin edhe të presidentit edhe të kryeministrit; Serbia”.

Shefi i ekzekutivit kosovar, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se nëse quhet “Ballkan i Hapur” atëherë testi i së vërtetës është hapja e Serbisë ndaj Kosovës.

“Ata nuk i pranojnë as dokumentet tona të udhëtimit, kartat e identitetit, nuk i pranojnë as vulat, certifikatat dhe diplomat tona, prandaj me një Serbi të mbyllur për Kosovën, nuk e di se si mund te kemi Ballkan të Hapur. Ndërkaq, në një rrafsh edhe më individual do të thosha, besoj që kështu ndjehen shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës sonë. As si përcaktim politik as si ndjeshmëri kulturore, unë nuk u përkas atyre që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë jam i bindur që Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë vendin e tyre në NATO dhe BE”.

Ai është shprehur i bindur se mospjesëmarrja në këtë nismë nuk e ka dëmtuar Kosovën.

“Kurrë nuk ka pasur Republika e Kosovës më shumë vizita të zyrtarëve të lartë politik e diplomatik të perëndimit sikurse në vitin 2021. Dhe gjithashtu, kurrë nuk ka pasur pritje më të larta për zyrtarët tanë sikurse në këtë vit. Mbase vetëm viti 1999 pas çlirimit do të mund të ketë pasur më shumë vizita nga jashtë në vendin tonë. Në anën tjetër ne marrim pjesë në procesin e Berlinit. Për tregun e përbashkët rajonal kemi shprehur gatishmërinë tonë dhe interesimin tonë. Gjithashtu, theksojmë se investimet janë shumë të rëndësishme në rajon. Por, këto duhet të bëhen duke pasur respekt të ndërsjellë dhe barazi të të gjithëve. Iniciativat që vijnë nga Beogradi, unë e kam përshtypjen e fuqishme se dëshirojnë që të krijojnë një platformë pa BE-në. Ne dëshirojmë që BE-ja të jetë në çdo iniciativë rajonale edhe si mekanizëm, por njëkohësisht edhe si vlerë. Nuk preferojmë që edhe më tej në Ballkanin Perëndimor të ketë fonde të BE-së pa vlera evropiane”.

Por, e pranon se mospajtimi i Shqipërisë dhe Kosovës për këtë nismë rajonale ku Kosova refuzon pjesëmarrjen ka dëmtuar raportet mes këtyre dy vendeve.

“Besoj që mospajtimi ynë rreth iniciativës për Ballkanin e Hapur, që në fakt e ka origjinën në Novi Sad, është dëmtim i raporteve tona që vlen për t’u përmendur. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës janë ndër më të mirat në Kosovën e pasluftës”.