Kurti: Çështja e të zhdukurve është kryefjala në raportin me Serbinë

Gjatë fjalës së tij, Kurti bëri thirrje që në të gjitha tryezat që organizohen nga arena ndërkombëtare, pikë së pari nga Serbia të kërkohet hapja e arkivave.

“Në këtë ditë në të cilën ka më shumë ankth se sa pikëllim, meqenëse 1 mijë e 632 persona nga Kosova vazhdojnë të jenë të pagjetur, vazhdojnë të mos e kemi të zbardhur fatin e tyre. Në raportet e tona me Serbinë, çështja e të zhdukurve është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt nëse nuk i adresojmë çështjet e të kaluarës”, njofton Klankosova.tv.

“Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, bëj thirrje që në të gjitha tryezat që organizohen në arenën ndërkombëtare, pikë së pari nga Serbia të kërkohet hapja e arkivave. Vrasja e shqiptarëve pastaj varrosja e zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e tyre nëpër varrezat në Serbi, zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e zakonshëm por nga aparati shtetëror”.