Kurti deklarohet pasi u kërcënua: Nuk ndjehem i rrezikuar

Në shtëpinë e kryeministrit të vendit, Albin Kurti mbrëmë pati forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës u vendosën në hyrje të shtëpisë së Kurtit, pasi që ky i fundit ishte kërcënuar.

Lidhur me këtë çështje, Kurti është deklaruar sot në konferencë për media ku tha se nuk ndihet i rrezikuar, por se organet e rendit kanë marrë veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje.

“Së pari unë nuk ndjehem i rrezikuar por janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe unë as dje dhe as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”, ka thënë ai.

Kurse mbrëmë nga Zyra për Media nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar kërcënimin ndaj Kurtit, duke mos dhënë detaje shtesë se si është kërcënuar ky i fundit.