Kurti duatrokitet në Slloveni kur i replikon Bërnabiqit që tha se Kosova nuk është shtet

Në panelin e diskutimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bled të Sllovenisë, ku po flitet për integrimin në Bashkimin Evropian të shteteve të rajonit, Kryeministrja Ana Bërnabiq tha se nuk bëhet fjalë për “dy shtete”, kur flitet për Kosovën dhe Serbinë, por për një. Dhe, tha se Kosova nuk është as pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe as nuk njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti, i cili e tha fjalën e tij pak më herët, kërkoi që t’i kundërpërgjigjet Bërnabiqit.

“Përkrahja në Kosovë pë Bashkimin Evropian në Kosovë është 94 për qind, në Serbi është rreth 45 për qind. Ne i kemi vënë sanksionet kundër federatës ruse, Serbia jo, as që e mendon këtë. Nuk e distancon vetën as nga Millosheviqi as nga Putini, prandaj nuk është e thjeshtë për ne”, tha Kurti, fjala e të cilit ndërpritet nga duartrokitjet e audiencës.

Tutje ai vazhdoi të flasë për normalizimin e raporteve, pasi Bërnabiq tha se Serbia është ajo që do paqe dhe stabilitet.

“Unë dua t’i normalizojë marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë nëse fqinji im do të ishte Republika Çeke. Por, normalizimi i raporteve me Serbinë është shumë më i vështirë”, tha Kurti.

Tutje duke iu përgjigjur kryeministres serbe që tha se Serbia e Kosova janë një shteti Kurti foli për konceptin e normalizimit në psikologji.

“Normalizimi në psikologji nënkupton mungesë konfuzioni mes realitetit dhe fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuojë fatkeqësisht” theksoi kryeministri./Express