Një vit pa Lulëzim Krasniqin, përurohen dy libra, njëri i tij, tjetri për të

Të premten është bërë një vjet nga vdekja e Lulëzim Krasniqit – Arbanasit, i cili nuk kishte arritur ta fitonte betejën përballë Covidit.

Në njëvjetorin e vdekjes së tij, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë përuruar dy libra që ndërlidhën me jetën dhe veprimtarinë e Arbanasit, shkruan gazeta “Epoka e re”.

Libri i parë i përuruar është ai me poezi të Lulëzim Krasniqit – “Dhe unë jam njëri”, ndërsa i dyti është libër jetëshkrimor i autorit Gëzim Saraçi – “Njeriu i lartësive”.

Redaktor i librit “Dhe unë jam njëri” është miku i Arbanasit, Gëzim Saraçi, ndërsa recensent dhe lektor profesor Bahri Koskoviku. Recensues i librit “Njeriu i lartësive” është profesor Bedri Tahiri, kurse redaktor profesor Mentor Hajrizi.

Në përurimin e këtyre dy librave kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, miq të Lulit, familjarë dhe bashkëluftëtarë të tij. Po ashtu, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe dashamirë të librit.

Në përurimin e këtyre dy librave është vlerësuar lartë jeta dhe vepra e Lulëzim Krasniqit – Arbanasit. Duke iu referuar librit me poezi “Dhe unë jam njëri”, recensenti dhe lektori Bahri Koskoviku, i cili është mik i vjetër i Lulit, ka thënë se ky libër ngërthen në vete dashurinë, atdhedashurinë dhe padrejtësitë.

“Botimi i këtyre dy librave që sot janë para jush: ‘Dhe unë jam njeri’ – përmbledhje me poezi dhe libri ‘Njeriu i lartësive” i autorit shumë të vyer , Gëzim Saraçi, janë sendërtim i një ëndrre dhe një dëshirë që ta përjetësojmë Lulin dhe ta bëjmë të përjetshëm veprën e tij”, ka thënë Koskoviku, duke shtuar se mesazhi themelor në poezitë e Lulit është dashuria.

Ndërsa profesor Bedri Tahiri, ka thënë se libri “Njeriu i lartësive” i autorit Gëzim Saraçi është lapidar pavdekësie për njeriun e lartësive siç ishte Lulëzim Krasniqi – Arbanasi. Profesor Tahiri ka thënë se Lulëzim Krasniqi ishte personalitet i përgatitur në shumë fusha, duke vlerësuar lartë anën intelektuale dhe njerëzore të tij. Tahiri ka thënë se Luli ishte njeri i dashur për të gjithë dhe çdo herë ka qëndruar përballë kauzës kombëtare.

Edhe profesor Mentor Hajrizi si redaktor i librit “Njeriu i lartësive” ka vlerësuar lartë, jo vetëm librin, por edhe veprimtarinë e Lulëzim Krasniqit – Arbanasit.

Më tutje, autori i librit “Njeriu i lartësive”, Gëzim Saraçi, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar dhe punuar që të botohen këto dy libra që ndërlidhen me veprën dhe jetën e Lulëzim Krasniqit. Ai ka thënë se falë këtyre dy librave, Luli do të jetojë përgjithmonë në letrat shqipe.

Kurse vëllai i Lulit, Hasim Krasniqi ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në përurimin e këtyre dy librave. Me theks të veçantë, ai ka falënderuar Gëzim Saraçin, Bedri Tahirin, Bahri Koskovikun, Mentor Hajrizin dhe Fatmir Grajçevci, të cilët janë përkujdesur që këto dy libra të dalin në dritë.

Ndërsa vajza e Lulëzim Krasniqit –Arbanasit, Elina ka lexuar një poezi të babait të saj e cila titullohet “Lexo dhe këpute”.

Biografia e Lulëzim Krasniqit – Arbanasit:

Lulëzim Hysen Krasniqi ka lindur më 11 janar të viti 1976 në fshatin Zhilivodë, Komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Prishtinë.

Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, Lulëzimi ka kryer fakultetin për kriminalistikë.

Më vonë, ka kryer studimet edhe në programin Master: Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Lulëzim Krasniqi ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fshatin Zhilivodë dhe ishte ndër të parët që mori rrugën furnizim me armatim në Shqipëri.

Pas përfundimit të luftës, ai kishte punuar si arsimtar i gjuhës angleze në shkollën “Liria” në Stroc. Ndërkaq, nga viti 2004 ka punuar në Policinë e Kosovës. Lulëzimi ka punuar në detyra të ndryshme në Policinë e Kosovës, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Krahas punës që bënte si zyrtar policor, Lulëzimi merrej edhe me shkrime shkencore të fushës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pasi ishte njohës i thellë i asaj fushe dhe kishte përfunduar studimet e tij me rezultate maksimale. Gjithashtu, ai merrej edhe me analiza politike të situatës në vend.

Lulëzimi merrej edhe me poezi, në të cilat vërehet qartë çiltërsia e tij dhe mënyra e veçantë se si ai e perceptonte dashurinë, se si i thurte vargjet për dashurinë. Për dashurinë e tij të dytë, natyrën, ai çdoherë u bënte thirrje njerëzve që sa më shumë ta duan natyrën, t’i duan alpet e bukura shqiptare. Pothuajse çdo fundjavë, nga majat më të larta të bjeshkëve shqiptare, thërriste njerëzit ta duan natyrën dhe t’i duan alpet e bukura shqiptare.

Lulëzim Krasniqi ka lenë në dorëshkrim një libër shkencor të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dy libra me poezi.

Lulëzimi ka ndërruar jetë nga Covidi më 1 prill të vitit 2021, duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe tri vajza.