Kurti e Tërnava flasin për presionin, haxhin, lirimin e policëve e “Vidovdanin”

Kryeministri i vendit, Albin Kurit, ishte për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu, Naim Tërnava.

Kurti e Tërnava për disa minuta patën një bisedë ku folën për tema aktuale e çështjen e haxhillëkut.

Tërnava e njoftoi kreun e qeverisë për organizimin e ditës së Kurban Bajramit, teksa i tregoi edhe për faktin se nga Kosova kanë shkuar në haxh rreth 1 mijë e 600 haxhinj.

“Vlen të theksohet kryeministër se haxhin me kry po, por, edhe atje duhet të jenë zotërinj e jo të qëndrojnë skutave”, tha Tërnava, njofton Klankosova.tv.

Si nikoqir, Tërnava filloi ta relaksojë muhabetin me pyetjen se “a po lodhësh shumë këto ditë”, teksa Kurti nisi t’i tregojë atij për vizitën që pati në Mbretërinë e Bashkuar.

“Po, mirë. Tash edhe kur njeriu po shkon jashtë vendit, me faktin se po e ka telefonin me vete, je edhe brenda vendit”.

“Njëfarë mënyrë, kudo që shkon, kur e ke telefonin je edhe në zyrë. E plus kur të kthehesh pastaj në zyrë është ai grumbulli me letra”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se përpara se të shkonte në BIK, fillimisht iu desh të shkonte në zyrë.

“Përpara se të vij këtu, në mëngjes mu desh të shkojë sepse ka raporte e gjëra që duhet t’i lexojë në zyrë. Sot na ka qëlluar edhe kjo festa tjetër, ku duhet t’i përcjellim zhvillimet se çka po ndodh”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tërnava e uroi Kurtin për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia, ndërsa shefi i qeverisë e informoi të parin e BIK-ut se te tre policët do të jetë për vizitë pasdite.

“Sprovat janë të tilla. Njeriu është i krijuar nga Zoti që të sprovohet në këtë jetë”, tha Tërnava.

Ndërsa, Kurti, çështjen e presionit ndërkombëtar e lidhi me çështjen e xhevahirit në guacë.

“Edhe ai xhehaviri që është në guacë, se guacat janë të rralla që e kanë xhevahirin brenda. E xhevahiri në guacë është prej presionit të madh. Pra, prej presionit të madh është bërë xhevahiri”, tha Kurti.