Kurti goditi sërish Thaçin, ish-këshilltari i Thaçit i përgjigjet: Kurti i ushqen militantët me mashtrim

Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentin Hashim Thaçi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së ka përmendur ujdinë e Thaçit me NATO-në për dërgimi e FSK-së në veri.

Ai ka thënë se Kurti nuk do unifikim, por polarizim.

Në profilin e tij në “Facebook”, Behramaj ka shkruar se Kurti i ushqen militantët e tij me të pavërteta.

Sipas tij, Kurti po e keqinterpreton atë marrëveshje.

“Albin Kurti nuk do unifikim. Ai do polarizim. Do mashtrim, duke i ushqyer militantët me interpretimet e tij politike. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje paska thënë: “Një pararendës i imi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet”. E para, në atë zotim nuk thuhet mos me i çu FSK-në në veri, por thuhet me i çu atje në koordinim me KFOR-in. Edhe, e dyta, zotimi është i 2013-ës kur FSK-ja nuk ka qenë as ushtri!”, ka shkruar Behramaj.

Ai ka pyetur se pse tani Kurti nuk e ndryhson këtë marrëveshje.

“Tash shumë lehtë e ka ky mashtruesi, meqë FSK-ja është ushtri: veç le të zotohet që e dërgon në veri pa u koordinuar me KFOR-in dhe e mbyllur është kjo çështje. Megjithatë, e vërteta qëndron më ndryshe, sepse për dallim prej FSK-së, ky as Njësinë Speciale më nuk e dërgon në veri pa u koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in. Nuk e ka dërguar pa lejen e tyre as vikendin e kaluar për t’u përballur me terroristët serbë dhe si pasojë është vonuar edhe intervenimi prej saj”, ka shkruar ai, duke shtuar se nuk duhet të tolerohen këto mashtrime.

“Për hir të situatës së krijuar në raport me Serbinë, të gjithë e kemi rritur tolerancën në raport me pallavrat e Albin Kurtit, por nuk ia tolerojmë edhe mashtrimet. Përndryshe, Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje më mirë do ishte t’i tregonte si u futën terroristët edhe me autoblinda në territorin e Kosovës, si e sollën tërë atë armatim apo edhe si mbeti patrulla e heroit Afrim Bunjaku pa plumba në përballje me grupin terrorist.

Uniteti krijohet kur sillet në pëputhje me rolin që e ka, jo kur sillet si politikuc!”, ka shkruar ai.