Kurti i shmanget dialogut me Serbinë, por Donfried ia “përplas në fytyrë” urgjencën e tij

Ndihmës-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e ka përmendur rëndësinë dhe urgjencën e rifillimit të dialogut me Serbinë.

Pavarësisht se kryeministri Albin Kurti, pas takimit me zyrtarët amerikanë nuk e tha asnjë fjalë të vetme në lidhje me dialogun me Serbinë, Ndihmës-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se gjatë takimit me Kurtin biseduan për këtë temë të rëndësishme, raporton Demokracia.com.

Në një konferencë për media, pas takimit që zhvilluan me kreun e ekzekutivit, Karen Donfried theksoi rëndësinë e dialogut me Serbinë, duke e specifikuar se është urgjencë rifillimi i këtij dialogu.

Ajo, po ashtu, theksoi se SHBA-ja e mbështet këtë dialog, i cili do të sjellë të mira për Kosovën dhe popullin e saj, pasi që për synim ka arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke.

Gjithashtu, Karen Donfried, tha se duke u forcuar në dialog dhe duke krijuar marrëdhënie me Serbinë, Rusia do ta humb ndikimin dhe pretendimet e saj mbi Ballkanin Perëndimor.

Demokracia.com më poshtë ju sjellë një pjesë të deklaratës së Ndihmës-sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

“Jam këtu në një kohë sfiduese për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Lufta brutale e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës është një thirrje për të gjithë ne, përkundër përparimit të demokracisë së Kosovës, SHBA-së dhe shteteve të tjera që e kanë bërë. Kurrë nuk duhet ta marrim si të mirëqenë paqen apo demokracinë e një shteti. SHBA dëshirojnë ta shohin Kosovën duke e marrë vendin e vet të duhur në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Për këtë arsye, ne i japim kaq shumë prioritet mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që të arrijë në normalizimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe me njohjen reciproke me fqinjin tuaj Serbinë, sepse status quo-ja është e paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë drejt Evropës, por i bën të mira Kremlinit, sepse Rusia dëshiron që të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor, duke siguruar që ju dhe shtetet fqinje që të mos integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ajo (Rusia) beson që një Ballkan, i cili është më i fuqishëm me prosperitet demokratik, më i qëndrueshëm do të jetë një kërcënim për influencën e tij. Prandaj, marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërcënojnë mundësinë e Rusisë për të nxitur frikë dhe kaos. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë, Kosova dhe Serbia duhet që të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente duhet që të ri-angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe me një mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja. Kryeministri edhe unë diskutuam edhe hapat e ardhshëm dhe sa janë të rëndësishëm ato për Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket dialogut, sepse qëllimi ynë është edhe qëllimi juaj, një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet e përqendruara në njohjen e ndërsjellë. Prandaj një angazhim urgjent, kreativ, fleksibil dhe i sinqertë në mirëqenie e mirëbesim nga Kosova dhe Serbia do të çojë, do të sjellë benefite të shumta për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë. Jam e bindur dhe e njohur sa i përket shqetësimeve, sa i përket Qeverisë dhe popullit të Kosovës për sigurinë e Kosovës në këtë kohë shqetësuese, por dëshiroj t’ju siguroj që përkushtimi i SHBA-së dhe i aleatëve tanë mbetet i paqëndrueshëm. Kosova në vendin e vet e ka NATO-n, i cili është zbarkimi më i madh. E ka misionin e KFOR-it, i cili është mision për të mbajtur paqen dhe stabilitetin. Kryeministri edhe unë gjithashtu diskutuam edhe për lidershipin e qeverisë së tij gjatë vitit të kaluar, veçanërisht në çështjet humanitare. SHBA-ja më të vërtetë e çmon shumë gatishmërinë e Kosovës që përkohësisht të strehojë afganë në kampin Bondsteel”, theksoi Karen Donfried, raporton Demokracia.com.

Ashtu sikurse në konferencën me presidenten Vjosa Osmani, Karen Donfried edhe pas takimit me kreun e ekzekutivit, Albin Kurti, foli për ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, si dhe për të gjitha ato që ajo i ka bërë për Kosovën.

Në të dy konferencat nuk u lejuan pyetje nga ana e gazetarëve.