Kurti: ka vetëm mospajtime, nuk ka ndarje të Vetëvendosjes

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti tha sot se në lëvizjen “Vetëvendosje” ka vetëm disa dorëheqje , nuk ka ndarje.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media, ku tha se në “Vetëvendosje” ka mospajtime dhe dorëheqje, por jo ndarje të lëvizjes. Sipas tij, edhe këto dorëheqje janë vetëm nga pozitat, por jo nga anëtarësia.

“Unë besoj që zgjidhja është pjesëmarrja aktive e jo dorëheqja. Unë nuk mbaj inat, as nuk do të hakmerrem e as nuk do ta përdori dorën e hekurt”, shprehet Kurti.

Kurti tha se nga mbledhja e fundit ka dalë optimist. “Tash është detyrë e të ngarkuarve, pra Kryetarit të Grupit Parlamentar-Glauk Konjufca si dhe Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të procedojnë më tutje. Besoj se për këtë gjë dhe për hapat e tjera të flasin ata që janë të thirrur për këtë”.

Ai bëri të ditur se në qershor të 2017, ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri ia ka bërë të qartë se nuk është i interesuar edhe për një mandat në krye të “Vetëvendosjes”, theksoi ai.

E kur u pyet për ish-sekretarin e partisë, Dardan Molliqajn, Kurti e shpërfilli fort, saqë u përgjigj shumë shkurt: “ne jemi të dytë deputet në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti, pa ia përmendur fare emrin.

“E kam vullnetin e hekurt, por jo dorën e hekur. Unë nuk jam as shef a as pronar në “Vetëvendosje” por jam kryetar që të shërbej dhe nuk besoj që duhet të më shohin si dikush që mund të përdor dorë të hekurt ndaj kujtdo qoftë”, tha Kurti.

Ai mohoi se anëtarët e lëvizjes e thërrasin komandant ose babë. “Jemi në paqe, jo në luftë”, u përgjigj Kurti.

“Do të jem kryetar i të gjithëve, do t’i shërbej vullnetit dhe interesit të përgjithshëm. Kosova ka shumë halle dhe qytetarët presin shumë prej nesh. Ne do të jemi në nivel të detyrës”, ka deklaruar Kurti.