Kurti kërkon drejtësi për gjenocidin e luftës

Kryeministri i vendit Albin Kurti, në 23 vjetorin e Masakrës së Reçakut, tha se historia e vendit nuk mund të shkruhet pa dëshmitë nga ajo që ndodhi në këtë fshat në vitin 1999.

Sipas tij, ajo që ndodhi në Reçak nuk mund të harrohet e as të rishkruhet, duke shtuar se ky vend është datë vendimtare për shtetin.

Prandaj ai ka thënë se për gjenocidin e shkaktuar në këtë masakër dhe 400 të tjera nga policia paramilitare serbe, duan vetëm drejtësi.

“Kujtesa jonë është e prekur përjetësisht sepse tmerrin e kanë jetuar njerëzit tanë. Me 15 janar Reçaku u gjet i rrethuar nga policia paramilitare serbe. Vranë 45 civil mes tyre gra e fëmijë. Jehona e aktit të gjenocidit për mbi Reçak kumboi në gjithë botën. Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa Reçakun që ishin viktima të mbi 400 masakrave. Masakra të tilla do të vazhdonin anë e mbanë Kosovës sepse ajo Jugosllavia e Millosheviqit po e zbatonte këtë intencë të saj. Unë sa herë vije në Reçak ndjej keqardhje”.

“Kjo histori nuk mund të harrohet dhe as rishkruhet. Vrasja e qëllimshme ishte forma më e zakonshme dhe më e shpeshtë e vrasjeve sipas mënyrës së ekzekutimit në vend. Kjo masakër e zbuluar edhe nga udhëheqësi i misionit të OSBE-së, William Walker”.

“Vrasja duhet të marrë përmasat e gjenocid që të zgjoj vëmendjen publike, duheshin një mori faktorësh për të sjellë masakrën në media. Mbeten dëshmi dheu i mbuluar në varre dhe dhimbja në shpirt. Reçaku është datë vendimtare në shtetin tonë. Nuk vonuan avionët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë e Millosheviqit”.

“Prandaj të mohosh krimet që i ka faktuar një botë e tërë do të thotë të qëllosh të rënët e pavdekshëm dhe idealet e brezave të rinj që vijnë. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Ne duam drejtësi” ka thënë Kryeministri.