Kurti kërkon entuziazëm mes Kosovës e Shqipërisë, siç ishte në kohën e luftës

Ka filluar mbledhja e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, e cila po mbahet në Prishtinë.

Për të tetën herë radhazi, Kosova dhe Shqipëria janë duke zhvilluar mbledhjen e përbashkët, raporton Demokracia.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse përkujtoi të gjithë ushtarët dhe dëshmorët që dhanë kontributin e tyre për lirinë e Kosovës.

Sipas Kurtit, ky entuziazëm për çlirim dhe lirinë e Kosovës duhet të vazhdojë edhe më tutje.

“Para pak ditësh, ne festuam Ditën e Çlirimit dhe përkujtoj të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët e ardhur nga Republika e Shqipërisë, si dhe mbështetjen e paparë të vëllezërve dhe motrave tona për refugjatët shqiptarë nga dëbimi e spastrimi etnik që po bëhej ndaj tyre. Sot, bashkëpunimi në kohën e paqes duhet ta ndezë atë entuziazëm që pati në kohën e luftës për çlirim. Me këtë rast, më vjen mirë të theksoj se ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i thellë e më i gjerë e më intensiv, sa në fushën e burimeve njerëzore, ashtu edhe atyre natyrore”, theksoi Kurti ndër të tjerash në fjalinë e tij.