Kurti kujton masakrën e Burgut të Dubravës: Tek vendi i pushkatimit do të vendoset një lapidar

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Burgut të Dubravës, që kishte ndodhur gjatë vitit 1999, 19-23 maj, duke thënë se kjo ngjarja mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë. Ai ka treguar se tek vendi i pushkatimit do të vendoset një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosurve dhe të mbijetuarve.

“Nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999”, thuhet në shkrim.

“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut”, ka thënë tutje Kurti në rrjetin social Facebook.