Kurti mbrëmë tha se partia e Isa Mustafës ka një figurë fantome për president, përgjigjet LDK-ja

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje mbrëmë ishte i ftuar në emisionin Jeta në Kosovë dhe ka folur rreth bisedimeve me LDK-në për të arritur marrëveshje për koalicion.

Ai nuk u kursye me sulme ndaj partisë me të cilën synon të bashkëqeverisë, LDK-në. Kurti ka akuzuar partinë e Isa Mustafës se janë të paqartë në kërkesën për postin e presidentit, meqë nuk po përmendin një emër të mundshëm për president.

Në një moment, Kurti tha se LDK ka një figurë fantome për president.

Lidhur me këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar deputetin e zgjedhur të LDK-së Hatim Baxhaku.

Baxhaku ka sqaruar se LDK-ja asnjëherë nuk ka përmendur një emër të përveçëm për president, meqë sipas tij, me VV-në kanë biseduar vetëm për formën e zgjedhjes së presidentit pa përfshirë emra.

‘’Ne kemi biseduar vetëm për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe jo për emra. LDK nuk ka përmend emra, jo pse nuk e kemi një të tillë, sepse brenda LDK-së kemi emra që mund t’i propozojmë, por ne po kërkojmë prej tyre ta sqarojmë mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit’’, tha Baxhaku për Periskopin.

Deputeti, shton se Kurti duhet të jetë i matur në deklaratat publike që i lëshon ndaj LDK-së, meqenëse janë në prag për të qenë parti të koalicionit.

‘’Sigurisht se Kurti do të duhej të ishte më i matur në deklaratat e tij’’, përfundon Baxhaku.