Kurti: Nëse e duam atdheun siç e deshën dëshmorët si Bahri Fazliu, le të ecim rrugës së tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 24-vjetorin e rënies së dëshmorit Bahri Fazliu, i cili u vra në Bogiqe, zonë kufitare mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.

Kurti tha se Fazliu edhe në momentin e rënies së tij, ai shkrepu armën drejt armikut duke vrarë një nga ushtarët jugosllavë që e vranë atë.

“Pas vrasjes së të vëllait, Fahriut më 1989, ai u betua mbi trupin e tij se do të vazhdonte rrugën politike të tij për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Atë kohë anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, Bahriu u arrestua dhe u burgos për 6 muaj. Por burgu nuk e lëkundi, përkundrazi, ai refuzoi nxitjen e avokatit që të shprehej i penduar për veprimtarinë e tij politike, shkroi Kurti.

I pari i qeverisë kujtoi kohën kur Bahri Fazliu me aktivistë të tjerë të LPK-së më 25 maj 1993 formuan Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), transmeton Fokusi.info.

“Nga kjo kohë, Bahriu që nga shokët quhej me nofkën “Gëzimi”, do të vepronte dhe jetonte në ilegalitet. Ky njeri që kishte udhëhequr orkestrën “Zëri i Kosovës”, ku ai këndonte dhe luante në çifteli, në sharki, në fyell dhe në kitarë, nga tani do të orkestronte lëvizjet e LKÇK-së për përgatitjen e luftës së armatosur kundër Serbisë okupatore, për çlirimin e Kosovës”.

““Çlirimi” u bë kryefjala e tij dhe me këtë emër e pagëzoi edhe organin e LKÇK-së, revistën “Çlirimi”. Dy duar të bashkuara pranë një pushke me flamur kombëtar në sfond dhe me moton “Liri a vdekje”, ishte stema e zgjedhur prej tij dhe shokëve marrë nga Muzeu Kombëtar në Tiranë, për revistën “Çlirimi”, që shpërndahej ilegalisht nën pragjet e dyerve dhe kudo ku duheshin shkuar fjalët dhe tekstet e Bahriut me shokë. Në shkrimet e tij, Bahri Fazliu nuk kurseu nga kritika e tij e thellë dhe konstruktive, askënd që nuk ishte për çlirimin me luftë të Kosovës”, shkroi Kurti.

Tutje, Kurti përmendi edhe një “Thirrje për bashkëbisedim” të Bahriut drejtuar Shtabit Qendror të UÇK-së e në të cilën shkruante se “Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, i interesuar për bashkëpunim me çdo organizëm luftarak, gjë të cilën e ka detyrë edhe programore, fton udhëheqjen e UÇK-së për një bashkëbisedim të realizimit të bashkëpunimit UÇK-LKÇK në trojet e pushtuara shqiptare”.

“Kjo letër iu dorëzua vetë Adem Jasharit, ndonëse ai dhe Bahriu nuk arritën të takoheshin, meqë Kryekomandanti Adem u vra vetëm një muaj më pas. 4 ditë pas rënies së Bahriut (1971 – 1998), më 11 maj 1998, u realizua bashkimi i LKÇK-së me UÇK-në, i ideuar prej ti”, tha Kurti.

“Që në të gjallë të tij, ai na u drejtua me poezinë e tij “Të gjallëve”, ku Bahri Fazliu shkroi edhe këto vargje:

“Nëse dëshironi amanetin e dëshmorëve,

Mos pyesni kë kishin afër çastin e fundit,

Secili prej nesh ka qenë prezent.

Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,

Mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,

Lulet do t’ju vyshken në dorë

Nëse …

Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët,

Ecni në rrugën e tyre,

Aty do të gjeni gjeninë e tyre.””

“Andaj, nëse vërtetë e duam dhe e synojmë atdheun siç e deshën dhe punuan për të dëshmorët si Bahri Fazliu, le të ecim rrugës së tyre, se aty do të gjejmë gjeninë e tyre”, është shprehur Kurti.