Kurti, opozitës: S’do përgjigjem në pyetjet parlamentare pasi ju s’po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka refuzuar t’iu përgjigjet deputetëve të opozitës në pyetjet parlamentare gjatë seancës së sotme të kuvendit.

Kurti tha se për shkak se deputetët e opozitës s’po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të gjithë ata që i bëjnë pyetjet parlamentare nuk do ta kenë përgjigjen e tij.

“Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet, e jemi të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik dhe shtetëror. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh dhe më me përpikëri pyetjeve parlamentare”.

“Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që unë kur isha opozitë kanë kaluar këtu, vetëm tri prej tyre nuk janë votuar. 374 janë votuar. Rrjedhimisht, atëherë kur jeni deputete e kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm atëherë unë do të përgjigjem në pyetjen parlamentare sepse sigurohem që bëhet fjalë për parlamentin e Kosovës”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se nuk mund të bëhen pyetje parlamentare dhe ta dëmtosh shtetin në masën e përgjithshme prej 360 milionë euro nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Prandaj, me keqardhje unë nuk mund të përgjigjem në pyetjet parlamentare që nuk vijnë nga ky parlament”, tha ai.