Kurti pas telefonatës me Chollet: S’mund të ketë normalizim të raporteve pa njohje reciproke

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri më datën 27 shkurt ku në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në prani të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell. Derisa ka nisur numërimi mbrapa, Këshilltari i Lartë i DASH-it, Derek Chollet telefonoi kryeministrin Kurti për të diskutuar për planin evropian.

Kurti tha se kjo bisedë telefonike me Chollet shërbeu si një mundësi që t’ia rikonfirmojë ShBA-së se e pranon si bazë të mirë propozimin evropian.

Ai tha se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet vetëm me njohje reciproke në qendër, por edhe respektimin e të drejtave të minoriteteve në të dy shtetet.

“Bashkëbisedim i mirë sot me @CounselorDOS. E konfirmova mbështetjen time për propozimin e BE-së si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke në qendër të marrëveshjes si dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve, në të dyja shtetet”, njoftoi Kurti në Twitter.

Me ftesë të BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar lidhur me vazhdimësinë e dialogut me bazë propozimin evropian.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën, derisa tha se diskutime të mëtejme mbi përmbajtjen e këtij propozimi nuk do të lejohen, çka e ka çuar atë në formatin “mere ose lëre”.

Ndryshe, propozimi i Bashkimit Evropian apo siç njihet plani franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk është bërë publik zyrtarisht. Por në një draft, pjesë të të cilit kanë publikuar mediet, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, Kosovë-Serbi, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë.

Ndër këto të drejta parashihet respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë, pa specifikuar qartë se për çfarë aranzhimi bëhet fjalë.