Molliqaj: Kurti u dorëzua, mori obligim ligjor që ta zbatojë marrëveshjen me Asociacionin në qendër

Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri i Kosovës është dorëzuar sot në Bruksel, duke e pranuar marrëveshjen që në qendër e ka Asociacionin.

Në një reagim të tij, Molliqaj ka thënë dorëzimi i Kurtit nuk do të jetë dorëzim i Kosovës, duke paralajmëruar rezistencë ndaj marrëveshjes.

“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEWS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit. E Kosova zyrtarisht mori obligim ligjor, sonte, me dakordimin e Albin Kurtit, që të pranojë një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër. Ditët në vijim vazhdojnë negociatat për datat e zbatimit të Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera. Por ditëve në vijim do të vazhdojë rezistenca qytetare kundër kësaj marrëveshjeje. Dorëzimi i Albin Kurtit nuk do të jetë edhe dorëzim i Kosovës!”, ka thënë ai.