Kurti për grevën: Kemi bërë shumë hapa, shantazhi “o kaq, o nuk shkojmë në punë” s’është ndalur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me grevën, ku bëri të ditur se do të takohet me sindikatat evropiane në lidhje me grevën, teksa shtoi se qeveria ka bërë shumë hapa por ajo se çfarë s’kanë parë është pushimi i shantazhit se “o kaq, o nuk shkojmë në punë”.

Ai tha se zgjidhja më e mirë është që mësimdhënësit bashkë me nxënësit të shkojnë në shkollë dhe sipas tij, kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve por edhe për zhvillimin e shoqërisë.

“Për ata që s’më kanë dëgjuar, po e përsëris, se kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacion, jo si zëvendësim për Projektligjin për Paga që tashmë ka dalur në diskutim publik dhe i cili natyrisht do të sillet edhe në kuvend për të dy leximet”, është shprehur Kurti.

Tutje, Kurti përmendi edhe buxhetin e ndarë për arsim, ku siç tha është 12 për qind më i lartë sesa vitin e kaluar dhe gjithashtu është më i lartë sesa rritja ekonomike.