Kurti për sukseset që thotë t’i ketë arritur në bujqësi: Keqpërdorimet dhe korrupsioni janë ndalur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për disa suksese që Qeveria që drejtohet nga ai thotë t’i ketë arritur në sektorin e bujqësisë.

Ai ka thënë që brenda dy viteve e gjysmë kanë shënuar rekord të të mbjellave që prej pas luftës.

”Mbill sot që të korrësh nesër. Në dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi shënuar rekord të të mbjellave që prej pasluftës. Në krahasim me dy vite më parë, sipërfaqet e të mbjellave me drithëra janë rritur për gati 2/3. Sepse përkrahjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kemi rritur deri në 216%”.

“Mbi 214 milionë euro është vlera e mbështetjes financiare deri më tani. Për herë të parë, kemi subvencionuar naftën dhe plehun bujqësor. Sigurimeve bujqësore u janë shtuar edhe gjashtë kultura të reja, kurse primin e sigurimit e kemi subvencionuar për 75%”.

”Aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë. Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur. Për herë të parë janë aprovuar 50% të aplikimeve për grante, teksa numri i fermerëve të mbështetur çdo vit është mbi 30 mijë. Fermeri i Kosovës sot, është fermeri më i përkrahur në rajon”, ka shkruar Kurti në Facebook.