Kurti, politikanëve të Luginës: Nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare atje.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm”, u shpreh Kurti, në takimin e sotëm që pati me përfaqësuesit politikë të Luginës.

Në këtë takim morën pjesë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.

Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.