Kurti porosi Thaçit: Nëse nuk jemi unik në politikën e jashtme, humb Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para të pranishmëve në manifestimin qëndror që është mbajtur në kazermën “Adem Jashari”.

Duke folur për sakrificën e familjes Jashari, Kurti ka thënë se para 22 viteve, kishte ndodhur diçka që as bota nuk e kishte parë, shkruan lajmi.net.

“Sot, 22 vite më parë, madje edhe në të njëjtën ditë, 5 marsi i 1998 ishte e enjte, po ndodhte kulmimi i një situate të re. Po ndodhte dicka e jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë. Familja Jashari po luftonte me një shtet fashist. Ishte kjo familje, ishte Adem Jashari e Hamëz Jashari e baca Shaban që njëherë e përgjithmonë na treguan se kur është liria në pyetje nuk ka asnjë forcë që mund t’i zbrapsë”, tha ai.

Kurti tha se Jasharajt e kishin vënë popullin para familjes me flijimin e tyre, dhe kështu sipas tij e ndryshuan edhe popullin.

Ai tha se Kosova dëshiron një ushtri të fortë e profesionale, dhe në këtë formë do të investojë në të.

“Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen, dhe kështu e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Ne duam një ushtri të fortë e profesionale që mbron tërësinë tonë territoriale, e kështu do të rrisim investimet në ushtri. Ne jemi një popull liridashës, që nuk nënshtrohemi, ushtria është nevojë e kohës. Aleanca jonë më NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi jonë në NATO dhe BE duhet përshpejtuar për ta parandaluar ndikimin e fuqive të huaja”, tha ai.

Kurti nga kazerma “Adem Jashari” dha edhe mesazhe politike, teksa bëri thirrje për tejkalimin e dallimeve politike në politikën e jashtme.

“ Ne nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme, sepse cënon integritetin tonë. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e brendshme humbin liderët dhe partië. Kur nuk pajtohemi në politikën e jashtme, humb Kosova. SHBA-të e duan një Kosovë të fortë e të pavarur, që mbron e avancon interesat e saj. FSK mund të ngjajë një fuqi e vogël, por ajo është partnere e denjë e NATO-s dhe SHBA-ve. Jasharajt na mësuan se asgjë nuk mund ta arrijmë pa vetëmohim dhe unitet. Borxhi ndaj tyre shlyhet vetëm me vetëmohim.Unë kërkoj unitet, përkundër dallimeve që kemi”, tha në fund kryeministri Kurti.