Kurti reagon për shkarkimin e 12 ambasadorëve, paralajmëron zëvendësimin e shpejtë të tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për shkarkimin e 12 ambasadorëve nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se ai është pajtuar me këtë vendim, dhe se sipas tij ky është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm.

Ai ka falënderuar ambasadorët për kontributin e tyre, duke thënë se shërbimet e jashtme janë mbingarkuar me diplomat politikë, sipas tij duke e kaluar edhe kuotën ligjore.

“Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster”, ka thënë Kurti.

Ai ka paralajmëruar se në këto vende, ambasadorët politikë, shumica do të zëvendësohen me amabsadorë të karrierës.

Postimi i plotë i Kurtit:

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam pajtuar me propozimin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, për lirimin e ambasadorëve të caktuar me çelës politik.

Ky propozim i Zëvendëskryeministres Gërvalla, i dekretuar nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani, është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës. Këtë reformë ne e kemi nisur edhe gjatë Qeverisë sonë të parë të pranverës 2020, dhe e kemi paralajmëruar në zotimet tona elektorale dhe programin tonë qeverisës.

Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster.

Në koordinim me Zëvendëskryeministren Gërvalla, Presidenten Osmani dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pa humbur kohë do t’i fillojmë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet tona diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.

Ligjshmëria, reformat strukturore dhe vendosja e mekanizmave të profesionalizmit dhe meritokracisë janë shtyllat mbi të cilat qeverisja jonë do ta ndërtojë përfaqësimin dinjitoz të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare.