Kurti s’i pranon kritikat e opozitës për keqqeverisje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është kundërpërgjigjur akuzave të partive opozitare për paaftësi gjatë qeverisjes njëvjeçare.

Ai në RTK ka thënë se secila prej këtyre akuzave është më gabim se tjetra, pasi sipas tij këtë vit Kosova ka shënuar sukses duke marrë parasysh sfidat me të cilat është përballur sikurse kriza energjetike dhe ngritja enorme e çmimeve.

“Kishte manipulim të çmimeve të vajit. Kjo ishte edhe ofendim dhe me gjithë këto mendoj se ia kemi dalë më mirë. Unë nuk mendoj se ka qenë e mundshme të bëhet shumë e më shumë e më mirë”, tha Kurti.

Ndryshe, ekonomia, drejtësia, shëndetësia e politika kanë qenë disa nga sferat për të cilat është kritikuar Qeveria Kurti 2 nga partitë opozitare në njëvjetorin e qeverisjes.

Sipas PDK-së, LDK-së e AAK-së, gjatë vitit të parë të qeverisjes Kurti është rritur numri i të papunëve dhe i atyre që kërkojnë të largohen nga Kosova.

Qeveria Kurti ka marrë kritika edhe për “komunikime të turpshme e amatore dhe diskurs joadekuat diplomatik”, por edhe për “kapjen e bordeve, menaxhimin e keq të pandemisë, dialogun e nivelit teknik”.