Kurti s’iu përgjigj pyetjeve të opozitës, Gashi: Është shantazh e shkelje e Kushtetutës

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti të përgjigjet ndaj pyetjeve të opozitës është shkelje e Kushtetutës dhe shantazh.

Gashi tha se pavarësisht që sot e lëshuan sallën e kuvendit, në seancat e radhës do të marrin pjesë.

“Sot për herë të parë në parlamentarizmin e Kosovës, refuzon të përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës. Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shantazh. Ky tentim për detyrim ndaj deputetëve është i papranueshëm. Po hyjmë në një sistem të paparë”.

“Sjellja e sotme është ogur i keq për demokracinë tonë. Është nivel i ri i demokracisë dhe me sjelljen e arrogancës së kryeministrit ne e lëshuam seancën”, tha Gashi.

Tutje, Gashi tha se qeveria duhet t’i bëjë numrat për t’i votuar marrëveshjet apo ta zgjërojë koalicionin.

Gashi foli edhe për deklaratat e Albin Kurtit se nëse “shkojmë në zgjedhje, zhduket opozita”.

“Ani more le të zhduket. Nëse është vullnet i popullit që të zhduket opozita, atëherë vazhdojmë. Nuk është problem se Albin Kurti ka për synim t’i zhdukë kundërshtarët. Sot i ka bërë katër vjet qeverisje, cili është rezultati i këtij pushteti”, tha tutje ai./EO