Kurti sot takohet me Listën Serbe

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot pritet të takohet me përfaqësues të Listës Serbe, kjo pasi bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë bërë problem i madh për shkak të kërkesave për ndarjen e pozitat e larta shtetërore mes dy partive.

Gazeta Metro ka mësuar se Kurti nesër ka planifikuar të zhvillon një takim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Tema e diskutimit mes Kurtit dhe përfaqësuesve të Listës Serbe sigurisht se do të jetë vota e deputetëve serbë për krijimin e qeverisë, pasi që mandatari për formimin e Qeverisë tashmë i ka vetëm edhe 5 ditë afat kushtetues.

Kujtojmë se qëndrimet e deritashme të Kurtit për Listën Serbe kanë qenë shumë të ashpra, madje, para pak vitesh, ai i kishte quajtur ata edhe Listë Çetnike.

“Lista Serbe s’janë thjesht serbë, por ata janë çetnikë”, kishte thënë Kurti.

Po ashtu, pas zgjedhjeve Kurti kishte deklaruar zëshëm se nuk do të pranojë të bëjë fare marrëveshje politike me Listën Serbe, derisa për ministër nga komuniteti serb kishte thënë se do të bëjë ndonjë politikan serb që është lojal ndaj Republikës.

Megjithatë, jo shumë ditë pas kësaj deklarate, Kurti kishte ndryshuar fjalët, duke thënë se do ta pranojë ministrin serb që i propozon Lista Serbe, por assesi nuk do të bëjë marrëveshje politike me ta dhe nuk i do si pjesë të qeverisë së tij.

Por, tani kur afati i tij për ta formuar qeverinë është drejt fundit, Kurti si duket sërish ka ndryshuar mendje dhe tash është i gatshëm të negociojë edhe me Listën Serbe dhe të bëjë marrëveishje politike për t’i siguruar votat e deputetëve serbë për formimin e qeverisë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë ishte kritikuar edhe për propozimin e tij për LDK-në, për rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, pasi që nga kjo rritje do të përfitonte një ministri më shumë sërish Lista Serbe, e cila ka 11 vota në Kuvendin e Kosovës, sepse pjesë e saj është edhe përfaqësuesi i komunitetit goran, Adem Hodza.

Nuk dihet akoma nëse ky takim do të ndodhë për shkak të presionit të madh nga ndërkombëtarët për formimin e qeverisë së re.