U rrokullisen me makinë rreth 100 metra, humb jetën 43-vjeçari, në gjendje të rëndë një tjetër

Një aksident me pasoja të rënda është regjistruar sot në Pogradec.

Mësohet se në një mjet “Jeep” ku ndodheshin dy persona, përkatësisht 43 dhe 48 vjeç, të cilët dyshohet ishin nën efektin e alkoolit, janë rrotulluar për gati 100 m pasi kanë humbur kontrollin e automjetit.

Ata ishin duke u kthyer në shtëpi kur makina ka dalë nga rruga, duke i lënë të plagosur rëndë. Ndërkohë sipas policisë një prej tyre, nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve të marra.

Të rinjtë ishin nga fshati Çezmë dhe po konsumonin alkool në fshatin Trebinjë, që gjendet në një zonë të thellë malore, ndërsa aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Malinë.

Njoftimi i policisë:

Pogradec

Më datë 29.08.2020, rreth orës 19:45, mbi fshatin Malinë, Mokër e Sipërme, shtetasi A. K., 43 vjeç, banues në Pogradec, duke drejtuar një automjet dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, ku për pasojë është dëmtuar ky shtetas, si edhe shtetasi D. K., 48 vjeç, banues në Pogradec, pasagjer në mjet.

Të dy shtetasit e mësipërm, u transportuan në Spitalin e Pogradecit ku shtetasi A. K., ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasi D. K., ndodhet nën kujdesin e mjekëve, aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore.

Nga ana e Policisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.