Kurti takon kryetarin e BSPK-së, e rithekson zotimin se paga minimale do të ngritet në 250 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe njëherë ka ritheksuar zotimin e tij për ngritjen e pagës minimale në 250 euro.

Këtë zotim ai e ritheksoi në takimin që pati sot me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ku diskutuar mbi bashkëpunimin e ndërsjellët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

“Kryeministri Kurti tha se ai mbetet i përkushtuar në fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të plotë të Ligjit të Punës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inspektuese. Ai po ashtu tha se qeveria është partneri kryesor social për mbrojtjen, realizimin dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së punëtoreve. Në takim u bisedua edhe për Ligjin e Pagave dhe pagën minimale. Sa i përket Ligjit të Pagave, kryeministri Kurti tha se qëllimi primar i tij do të jetë që të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, që përveç se ishte ligj i dobët ishte edhe i dëmshëm duke qenë se ishte diskriminues dhe krijonte pabarazi. Ne tani po punojmë intensivisht në hartimin e ligjit të ri që do të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave në sektorin publik. Duke e trajtuar me thellësinë dhe kujdesin e nevojshëm, e duke mos u nxituar, ne po tregojmë përgjegjësinë tonë në trajtimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm që ka munguar për tash e 22 vjet, u shpreh kryeministri Kurti. Në lidhje me pagën minimale, ai tha se gjatë mandatit të tij, sikurse është zotuar para qytetarëve dhe miratuar në programin qeverisës, ajo do të ngritet në 250 euro. Kjo, e sidomos kërkesat për rritje pagash, duhen ta konsiderojnë që përveç rritjes ekonomike nevojitet edhe rritje e produktivitetit përbrenda rritjes ekonomike që përjeton vendi i ynë”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Tutje thuhet se “Përgjatë takimit u bisedua edhe për çështje tjera që për synim kanë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për formë kanë bashkëpunimin e sinqertë dhe korrekt ndërmjet Qeverisë dhe BSPK-së”.