Haki Abazi përpiqet t’i relativizojë punësimet masive të aktivistëve të LVV-së në KEK

Punësimi i mbi 100 personave në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) që supozohet se janë të afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, ka ngjallur reagime në opinion publik.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar punësimet e fundit në disa institucione të vendit e në veçanti në KEK, ku pati reagime të ndryshme, duke i cilësuar ato si punësime të parregullta nga partitë opozitare.

Deputeti Haki Abazi tha se duhet të presim punën e sistemit gjyqësor që ka filluar hetimet për punësimet në KEK.

“Me sa shoh Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, tha ai në një intervistë për RTK.

Abazi ka thënë se ai që ka bërë shkelje të ligjit në punësimet në KEK, duhet të përgjigjet para organeve të rendit. “Nuk është ardhur në pushtet VV-ja për ta përsëritur PDK-në e LDK-në. Vetëm një gjyqësi dhe prokurori e pavarur duhet ta kryejë procesin deri në fund”, deklaroi Abazi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka folur edhe për sfidat e qeverisë Kurti II dhe ndalimin e mbajtjeve të zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.