Kurti ua tregon të vetëve propozimin për Asociacionin, opozita s’di gjë

Pushteti shprehet pozitivisht për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin, të cilin Albin Kurti e ka pranuar. Nga kryeministri deri te deputetët e LVV-së, të gjithë thanë se e kanë parë ose e dinë përmbajtjen. Shefi i Qeverisë ka refuzuar të flasë publikisht për hollësitë e propozimit, me arsyetimin se kështu i kanë kërkuar ndërkombëtarët. Të painformuar kanë mbetur vetëm opozitarët, të cilët e kanë ftuar Kurtin të raportojë në Kuvend të premtën.

Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e kanë parë dhe e dinë përmbajtjen e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga diplomatët euro-amerikanë. Opozita jo.

Pasi u kthye nga Brukseli ku ishte gati ta nënshkruante themelimin e Asociacionit sipas një propozimi ndërkombëtar, Kurti të premtën doli në një konferencë për media së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimin, dhe të dy folën me tone pozitive për këtë propozim.

Kryeministri konfirmoi se ishte i gatshëm ta nënshkruante edhe propozimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin, duke thënë se parashihej që draft-statuti ta merrte parasysh vlerësimin e Gjykatës Kushteutese.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha Kurti.

Për hollësitë e këtij propozimi nuk deshi të fliste, duke thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën e ndërkombëtarëve që dokumenti të mos bëhej publik.

Bislimi, ndërkaq, tha se sponsorët e këtij dokumenti kanë deklaruar dhe siguruar se “gjatë përpilimit të propozimit të tyre janë kujdesur në maksimum që të përmbushin kushtet e z. Kurti që në plotni të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015”. Por, tha se nuk mund të konstatojnë “se a përbën ndonjë formulim brenda shkelje të Kushtetutës apo jo”.

Shefja e shtetit tha të hënën se e ka lexuar dhe analizuar “gjerë e gjatë” propozimin për Asociacionin.

“Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëjë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kështu që unë nuk do të ngutesha me e shpallë në përputhje me Kushteuttën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe është institucioni në Republikën e Kosovës që e bën atë vlerësim, natyrisht në qoftë se asaj i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft-statuti siç parashihet. Kështu që atë vlerësim duhet ta bëjë gjykata”, tha Osmani.

Ajo tha se vlerësimet e saj do t’i japë si komente në Kushtetuese në rast se propozimi pranohet dhe miratohet.

“Natyrisht që e kam lexuar. Jo vetëm lexuar, por analizuar me vëmendje të thellë, gjerë e gjatë, mirëpo vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj kur shkon ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti vlerësoj se duhet të sqarohen që zbatimi të jetë në plotni të plotë me Kushtetutën tonë”, tha Osmani.

Konjufca e kishte parë propozimin që para se Kurti të shkonte në Bruksel. Ai tha të mërkurën e javës së kaluar se propozimi ishte “plotësisht në përputhje me Kushtetutën”.

“Në një shikim sipërfaqësor, po [propozimi për Asociacionin] është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, tha ai.

Edhe deputetët e LVV-së e dinë përmbajtjen e draft-statutit. Kryetarja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila tha dje se pikat kryesore të propozimit “janë në përputhje me Kushtetutën”.

“Ne si grup parlamentar jemi të informuar për përmbajtjen e draftit, pikave kryesore, të cilat janë në përputhje me Kushtetutën, por nuk janë në procesin final. Kjo është punë në proces, nuk kemi të bëjmë me diçka të finalizuar, nuk ka pasur nënshkrim, arsyet e saja janë thënë. Sipas informacioneve zyrtare nga Kurti dhe Bislimi, pala kosovare ka ofruar nënshkrimin, por ka pasur mospranim nga pala sebre. Duhet të shihen hapat e mëtutjeshme”, tha ajo.

Opozita e painformuar, kërkon transparencë

Opozita pati vërejtje kryesisht për mostransparencë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku shkroi në Facebook për “fatin e trishtë politik” të Kurtit, me rastin e pranimit të Asociacionit, duke shtuar se këto vite “vetëm humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim”. Këtë herë – shkroi Abdixhiku – “pa njohje, marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi”.

“Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë. I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend”, shkroi ai.

Transparencë kërkoi edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shkroi gjithashtu për “vitet e humbura dhe mundësitë e pashfrytëzuara nga helmi i vjellë nga populizmi”.

“Tani Albin, pak transparencë për marrëveshjen dhe draftin e Asociacionit. Mos u fshih”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërsa Kusari-Lila tha se është njoftuar me përmbajtjen e draft-statutit, kolegët e saj nga partitë opozitare nuk dinin gjë. Për këtë shkak, ata kërkuan që Kurti të premtën të raportojë para deputetëve, siç edhe u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

“Obligimet që i ka marr kryeministri nuk duhet të mbahen fshehtë. Pra, është një dokument që është pranuar, i cili do të ketë ndikimin në strukturat organizative të shtetit të Kosovës. Nuk ka pse të mbahet sekret në publik, sepse është dokument që është pranuar, nuk është më dokument pune”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Vërejtjen e njëjtë e pati edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai tha se sjellja e kryeministrit “është e papranueshme” dhe shtoi se “ky raportim është i domosdoshëm për të treguar transparencës por edhe për të dhënë llogari në Kuvend”.