Kurti: Vrasja mizore e Lulzim Fejzullahut duhet të jetë alarm për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka qëndruar për ngushëllim në familjen e 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu në Podujevë.

Kurti ka thënë se vrasja mizore e Lulzim Fejzullahut duhet të jetë alarm për të gjithë.

“Vrasja mizore e Lulzim Fejzullahut duhet të jetë alarm për të gjithë, përfshirë institucionet, për të punuar më shumë me të rinjtë dhe të rejat, që të orientohen sa më shumë drejtë arsimimit dhe edukimit, në mënyrë që të mos e shohin dhunën si zgjidhje dhe që të qëndrojnë sa më larg sjelljeve agresive dhe akteve të dhunës që mund të përfundojnë me pasoja tragjike”, ka thënë Kurti.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti pasi shprehu ngushëllimet në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri tha se humbja e jetës së një të riu në mënyrë tragjike na ka tronditur të gjithëve dhe është dhembje e madhe jo vetëm për familjen e tij por edhe për mbarë vendin.

“Të rinjtë te moshatarët e tyre duhet gjithmonë të shohim potencialin e shoqërisë dhe shoqërimit, asnjëherë të kërcënimit dhe sulmit. I ndjeri, Lulzim Fejzullahu ishte fëmijë jetim që ka pasur nevojë për mbështetje e kujdes nga të gjithë për një jetë të përmbushur. Sot, rasti i tij tragjik duhet të jetë moment reflektimi për të gjithë”, u shpreh Kurti.

Kurti bëri thirrje që organet e sigurisë dhe drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me përgjegjësinë më të lartë dhe bëri thirrje për drejtësi.

Në nguëshllim së bashku me Kurtin ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetë të Kuvendit, përfaqësues komunal dhe aktivistë.