Kusari-Lila thotë se greva e minatorëve të Trepçës është e paligjshme

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar nga Sindikalistët e Trepçës që greva e minatorëve të ndërpritet që shëndeti i tyre të mos rrezikohet më shumë dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Ajo në mbledhjen në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka deklaruar se kjo grevë fatkeqësisht është e paligjshme pasi disa nga kërkesat nuk i kanë kaluar procedurat ligjore.

“Kjo grevë është e paligjshme, kërkesa për shkarkim nuk lidhet me kontratën e punës, pagat, kushtet e punës gjithsesi që janë të duhura.. por disa të tjera nuk i kanë kaluar procedurat”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila tutje ka thënë se kjo grevë nuk është me motive politike pasi edhe në të kaluarën ka pasur të tilla.

Sindikalistët e Trepçës në mbledhjen me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kanë deklaruar se nuk do të ketë dorëzim nga ana e tyre deri në shkarkimin e menaxhmentit.

Kryesindikalisti i punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, i cili bashkë me minatorët tjerë është në grevë tash e tetë ditë me kërkesë që t’iu përmirësohen kushtet e punës, t’iu dalin pagat me kohë dhe të shkarkohet menaxhmenti, teksa tregoi kërkesat e minatorëve, ka thënë se jeta e tyre është në rrezik.

“Kërkesat janë tri, për realizimin e pagës mujore, shkarkimi i menaxhmentit dhe sigurimi shëndetësore. Punëtoret janë të palëkundur ndaj kërkesave dhe shpresojmë që nga ky takim të dalim më një zgjidhje pasi shëndeti i tyre është në rrezik”, ka thënë ai.

Për të kundërshtuar vendimin ai ka thënë se do t’i përdorin të gjitha mjetet ligjore.

Ndërsa, njëri nga minatorët e Trepçës, ka deklaruar se ushtruesi i detyrës së shefit të menaxhmentit, Enis Abdurrahmani, është person i dështuar pasi sipas tij, nuk ka bërë asnjë punë si duhet.

“Unë jam dëshmitarë që ky person në çdo gjë është i dështuar, ne nuk jemi për politik vendosni kë të doni nga secila parti, thjesht nuk e duam këtë person. Shpëtona jetën e minatorëve, bëjeni një grup të gjithë partitë për jetën e minatorëve”, ka deklaruar njëri nga minatorët.

Dukagjini