Kusari: Në Kosovë ka tendenca për ta lëkundur bazamentin e lirisë së medias (VIDEO)

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, tha se shteti nuk është duke i kryer obligimet në raport me mediat, e të cilat lidhen me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillin e Evropës, ku Kosova synon të anëtarësohet.

Kusari tha se shteti duhet të krijoj ambient të favorshëm për mediat, e të mos e pengoj në asnjë formë punën e tyre.

”Me ndërmarrë masa me qenë ambient i favorshëm për media, kjo përfshinë politika që ua mundëson mediave që të operojnë siç duhet, dhe shteti nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim që t’i censuroj, apo mbyllë mediat, ose të pengoj punën e tyre, këto janë obligime bazike që rrjedhin prej Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e ndërlidhur me Këshillin e Evropës, ku ne po synojmë ta anëtarësohemi, e këtu kemi probleme të cilat i kemi dokumentuar gjatë vitit”, tha Kusari.

Kusari tha se një nga problemet është edhe mos alokimi i buxhetit publik për mediat.

”Është standard, paraja publike duhet të shkojë te gazetaria, sepse gazetaria është e mirë publike. Shtete të ndryshme kanë forma të ndryshme se si e rregullojnë këtë, disa shtete ia japin Komisionit të Pavarur për Media, në këtë rast KPM-së, bëhen disa standarde, aplikon media i plotëson ato standarde dhe konsiderohet se është një lloj arbitri, në disa shtete krijohen organe të pavarura, ka modele të ndryshme që të sigurohet që paraja publike të shkoj te mediat dhe të mos ketë në asnjë formë ndikim politik”, tha Kusari në Rubikon të Klan Kosovës.

Kusari shtoi se Kosova është kampione në rajon për lirinë e medias, por se megjithatë ka tendenca për ta lëkundur bazamentin e kësaj lirie, duke përmendur rastin e Klan Kosovës dhe projektligjin për KPM-në si dy iniciativa të gabuara.

”Çkado që është arritur deri tash s’mund të shkatërrohet veç hajt, sepse bazamenti i lirisë së mediave është shumë i fortë, bazamenti kryesor është lufta e UÇK-së që është bërë që ne me qenë të lirë dhe me pasë mundësi me folë dhe me shkru çkado që duam, brenda kornizave ligjore, ky bazament neve na ka qitë në protestë për Klanin, pra edhe njerëz që jo domosdoshmërisht janë të lidhur me Klanin ose me emisionet, kanë thënë kadal se na është dashur shumë që të vijmë në një pikë që të jemi të lirë dhe ky bazament s’mund të lëkundet lehtë”.

”Zhvillimet me Klanin dhe projektligji për KPM-në mua personalisht më kanë shqetësuar shumë, sepse atë bazamentin që po them se është vështirë me u lëkund, këto janë iniciativa që e lëkundin. Te Klani kemi thënë që ka qenë gabim dhe është gabim të mbyllen mediat, secila media duhet të japë llogari për shkeljet që i bënë, ne kemi me pagu çmim në vlerësime. Nuk besoj se kjo ka me kalu pa u vërejtur në raporte, sa ka me u vërejt do ta shohim”, tha Kusari.

Lini një Përgjigje