Kushdo që punëson gratë, Qeveria e Kosovës do të ia kompenzojë gjysmën e rrogës

Nga ky muaj të gjitha gratë që punësohen do të paguhen deri në 170 euro për tre muajt e ardhshëm nga buxheti i Kosovës.

Kështu ka njoftuar, të enjten, ministri i Financave Hekuran Murati.

“Sot kam nënshkruar vendimin për operacionalizmin e Masës 1.3 – për Mbështetjen e Grave në Punësim. Me këtë masë parashihet subvencionimi i pagës për 50% (max 170 euro) për tre muajt e parë për të gjitha gratë që punësohen nga periudha tatimore korrik/2021 e tutje”, ka shkruar Murati.

Sipas tij pas periudhës 3-mujore, këto të punësuara do të subvencionohen sipas Masës 1.2, me 10% të pagës bruto. Kusht është që të punësuarat e reja të mos figurojnë aktive në periudhën tatimore qershor/2021

Në ministrinë e Financave thonë se kjo masë reflekton një ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës i cili qëllimi kryesor ka fuqizimin e grave në tregun e punës, shkruan Infokus.

“Punësimi i grave është tejet i rëndësishëm ashtu që të kemi një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe shoqëri përparimtare”, thuhet në një komunikatë të këtij institucioni.

Ndërkaq, për të përfituar nga ky subvencion, punëtoret e reja duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të ATK-së. Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin e kërkesës për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI.