Kuvendi miraton në parim Projektligjin për pagën minimale që u kundërshtua nga veteranët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ky Projektligj u votua me 68 vota për, 6 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Kujtojmë se javën e kaluar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

Sipas Ligjit për veteranët, shuma e pensionit të veteranit të UÇK-së nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosovë, e që është prej 130 deri 170 euro, varësisht moshës.

Sipas të njëjtit ligj, pensioni i veteranit është prej 120 deri 250 euro, varësisht kategorisë.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.