Kuvendi miraton vlerën e koeficientit të pagave

Me 63 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Më këtë është miratuar edhe propozimi i Qeverisë së Kosovës për vlerën monetare të koeficientit prej 105 eurosh.

Buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik për vitin 2023 do të jetë 745 milionë euro.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentes së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë, sipas të cilit ajo do të ketë pagën më të madhe.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Janë rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit.

Gjatë seancës parlamentare ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se shuma e tërësishme e kufirit për kategorinë e pagave nëse krahasohet me shpenzimin e vitit paraprak është rritur në vlerë prej 105 milionë euro. Sipas tij, rritje të tillë nuk ka pasur asnjëherë.

Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, i cili përcakton edhe vlerën e koeficientit janë pajtuar deputet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se me rritjen e koeficientit parashihet që paga mesatare bruto në sektorin publik të jetë 730 euro në muaj apo 18 për qind rritje krahasuar me vitin paraprak.

Me koeficientet e rinj, ai tha se është krijuar një barazi në mesin e shërbyesve publikë.

“Një çështje tensioni tek pagat në sektorin publik ka qenë raporti disproporcional ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Sipas të dhënave që i kemi për vitin e kaluar paga më e lartë në sektorin publik ka qenë e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vlerë 5.325 euro kurse më e ulëta ajo e shtëpiakut të shkollës fillore me 242 euro. Me propozimin ndryshimin e ligjit është që ngushtohet ky dallim me 1-5. Rroga më e lartë parashihet të arrijë në 1.890 euro e ajo me e vogla rreth 395 euro”, tha Muja.

Ai tha se Ligji për paga nuk parash zvogëlim të pagave për asnjë kategori për vitin e parë për shkak të propozimit të shtesës tranzitore.

Deputetët e partive opozitare kanë kundërshtuar vlerën e koeficientit, pasi që sipas tyre, është i ulët.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale, qeveria ka thyer premtimin për të ndihmuar njerëz të zakonshëm në rritjen e kostos së jetesës.

“Shporta bazë e konsumatorit – jo produktet e luksit por produktet që janë të domosdoshme – janë ngritur deri në 50 për qind”, tha Bajrami.

Ajo kritikoi Qeverinë e Kosovës se me këtë Ligj të pagave është prekur edhe sektori i drejtësisë që sipas saj, konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga ana e ekzekutivit.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind.

Rritje kanë pësuar çmimet e pothuajse të gjitha produkteve ushqimore dhe shërbimeve.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala tha se koeficienti prej 105 eurosh nuk përbënë rritje reale, por rritje numrash.

Shala tha se grupi parlamentar i PDK-së nuk pajtohet me këtë koeficient.

“Nuk do të kemi rritje sepse përfituesit do ta shohin atë kur të filloj shpërndarja e tyre. Kërkojmë që minimumi i kësaj të jetë 120 e më shumë në të kundërtën do të kemi shkallë të lartë të pakënaqësive dhe ankesave sepse këtu goditet një pjesë e mirë e sektorit të drejtësisë, sektori i sigurisë pothuasje në të gjitha nivelet”, tha ai.

Pritjet e sindikatave të punëtorëve kanë qenë që kjo vlerë të mos jetë nën 120 euro.

Me vlerën monetare të koeficienti prej 105 euro ata janë shprehur të zhgënjyer.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kosovës (SBASHK) kanë thënë se paga që del me vlerën e re të koeficientit, nuk i plotëson as pritjet, as nevojat e punonjësve të arsimit.

Në adresë të Avokati i Popullit në Kosovë, kanë arritur ankesa të shumta mbi për Ligjin e ri të pagave, i cili ka hyrë në fuqi më 5 shkurt.

Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se këto ankesa janë duke i trajtuar, por ende nuk kanë ndonjë përgjigje.

“Nëse vlerësojmë se ka probleme [në ligj], ne kemi afat ligjor prej gjashtë muajsh për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, kishte deklaruar ai.